Home » Blog » Veshët, hunda dhe fyti / ORL » POLIPET NË ZGAVRËN E HUNDËS

POLIPET NË ZGAVRËN E HUNDËS

Сподели

Polipet e hundës janë formacione beninje, të buta dhe pa dhimbje të cilat mund të shfaqen në hundë ose në sinuset paranazale. Polipet e hundës janë mjaft të zakonshme, ato janë të pranishme në rreth 4% të popullsisë dhe zakonisht takohen tek individët në moshën nga 30 deri në 40 vjeç.

Dr. Aleksandar Lazarevski, otorinolaringolog, shpjegon se shkaqet më të zakonshme për shfaqjen e tyre mund të jenë alergjitë, astma, ndjeshmëria ndaj barnave ose sëmundjet imunologjike. Shfaqja e polipozës nazale sigurisht mund të shkaktohet edhe nga faktorë të mjedisit, si ajri i ndotur, tymi i cigareve, pluhuri apo infeksionet e shpeshta bakteriale dhe virale.

Rreth 20% e pacientëve me rinosinuzit kronik (inflamacion kronik i hundës dhe i sinuseve) mendohet se kanë polipozë nazale. Edhe pse janë formacione beninje, ato mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës. Polipet e vogla mund të mos shkaktojnë asnjë simptomë, por për shkak të tendencës së tyre për rritje, ato shkaktojnë pengesa në hund dhe vështirësi gjatë frymëmarrjes përmes hundës. Terapia me ilaçe mund t’i përmirësojë simptomat, por shpesh kërkohet trajtim kirurgjik për heqjen e plotë të tyre.

CILAT JANË SIMPTOMAT QË TREGOJNË PËR POLIPOZË TË HUNDËS?

Përveç vështirësisë në frymëmarrje përmes hundës, shfaqen edhe simptomat si: rritja e sekrecionit të hundës, rrjedhja e sekrecionit në fyt, reduktimi ose humbja e shqisave të nuhatjes, dhimbje koke, dhimbje në pjesë e fytyrës, ndjesi rëndimi në ballë, gërhitje gjatë gjumit dhe infeksionet e shpeshta në sinuset. Simptomat zgjasin për një periudhë të gjatë kohore, ato gjithashtu mund të çojnë në komplikime të rënda, si inflamacione të shoqëruara me qelb në hundë dhe sinuse, vështirësi në frymëmarrje gjatë gjumit, sulme astmatike, madje edhe përhapje të infeksionet në sy, çrregullime në shikim ose në raste ekstreme dhe inflamacion i membranave të trurit”, shpjegon Dr. Llazarevski.

SI DIAGNOSTIKOHET?

Diagnoza vendoset relativisht lehtë në bazë të simptomave që ka pacienti dhe në bazë të ekzaminimit otorinolaringologjik. Kryesisht, ekzaminimi përfshin endoskopinë e rrugëve nazale, e cila është pa dhimbje, zgjat vetëm disa minuta dhe kryhet në ambiente ambulatore. Nëse është e nevojshme, mund të kryhen edhe ekzaminime shtesë, si testet alergjike, laboratorike, mikrobiologjike, rinomanometria ose tomografia e kompjuterizuar e sinuseve.

SI TRAJTOHET?

Qëllimi kryesor i trajtimit është zvogëlimi ose heqja e plotë e polipeve. Zakonisht, zgjedhja e parë është trajtimi medikamentoz. Rekomandojmë përdorimin e sprejit kortikosteroid nazal topik, ndonjëherë përdorim afatshkurtër të kortikosteroideve sistematike (tableta orale).

“Nëse nuk marrim rezultate të kënaqshme me trajtimin medikamentoz, rekomandohet trajtimi kirurgjikal. Para se të planifikojmë ndonjë operacion, është e nevojshme që të bëhet tomografia e kompjuterizuar e hundës dhe sinuseve paranazale, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të strukturave anatomike, si dhe për përhapjen e sëmundjes”, thotë Dr. Llazarevski.

Kirurgjia endoskopike e sinuseve është një trajtim kirurgjikal minimalisht invaziv që zbatohet për trajtimin e sinusitit kronik dhe polipozës së hundës. Gjatë operacionit, ne përdorim një endoskop për të vizualizuar dhe për të pasur një qasje deri tek rrugët nazale dhe sinuset. Duke hequr plotësisht polipet dhe me hapjen e gjerë të sinuseve të bllokuara, do të përmirësohet ndjeshëm fluksi i ajrit në hundë, ndjenja e nuhatjes dhe do të zvogëlohet mundësia për shfaqjen e infeksioneve të sinusit. Për fat të keq, ndonjëherë pavarësisht trajtimit të suksesshëm kirurgjikal, polipet mund të përsëriten në disa pacientë. Kjo është arsyeja pse kontrollet e rregullta postoperative kanë rëndësi të madhe, si dhe gjetja dhe eliminimi i faktorit shkaktar dhe marrja e terapisë së duhur, nëse është e nevojshme.

Përzgjidhni doktorin Rezervo Kontroll Kontakt