Kanceret gjinekologjike sipas numrit të pacientëve të regjistruar janë ndër kanceret më të shpeshta të cilat shfaqen tek gratë, menjëherë pas kancerit në mushkëri, kancerit të gjirit dhe atij të zorrës së trashë. Ekzistojnë katër lloje kryesore të kancerit gjinekologjik: kanceri endometrial, kanceri i vezoreve, kanceri i qafës së mitrës dhe vulvës.
Kanceri endometrial
Ky kancer zhvillohet në murin e mitrës të endometriumit dhe është një nga më të shpeshtët, por 80-90% e grave kalojnë lehtë pasi zbulohet në fazë të hershme. 20% e grave të cilat kanë kancer endometrial kanë rritje të gjakderdhjes, zakonisht në menopauz. Ekzistojnë teste invazive dhe jo invazive me anë të të cilave mund të identifikohet kanceri, ndërsa si trajtim bazë aplikohet kirurgjia duke përfshirë dhe histerektominë (heqja e mitrës), por në disa raste është e nevojshme edhe terapia me rrezatim, kimioterapia ose terapi hormonale.
Kanceri i vezoreve
Kanceri ovarian është kanceri i pestë më i shpeshtë i cili shfaqet tek popullata femërore, ndërsa i dyti përsa i përket kancerit gjinekologjik. Kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe kontrollet me ultratingull janë parandalimi më i mirë përsa i përket zbulimit në fazë të hershme, mundësia për shërim të plotë është më e madhe. Ky lloj kanceri nuk ka simptoma, rritet për një periudhë të gjatë në hapësirën abdominale, dhe nuk krijon asnjë lloj pengese tek pacientët. Prandaj dhe ndodh që shumë shpesh të diagnostikohet në fazë të avancuar.
Megjithatë, fryerja e barkut, dhimbja e barkut dhe e legenit, të ndjerit e ngopur shumë shpejtë, problemet me urinimin dhe dhimbjet gjatë marrëdhënies seksuale , menstruacione me dhimbje, të përziera, të vjella, të gjitha këto janë simptoma të kësaj sëmundjeje. Tek pacientet të cilat janë diagnostikuar në fazë të hershme, nuk është e nevojshme kryerja e ndonjë terapie tjetër përveç intervenimit kirurgjik. Në rastet e tjera të cilat nuk janë të diagnostikuara në fazë të hershme, trajtimi postoperativ vazhdon me kimioterapi, ose në rast se bëhet fjalë për sëmundje të avancuar lokale, trajtimi mund të nisë me kimioterapi dhe më pas të ndiqet nga trajtimi kirurgjikal.
Kanceri i qafës së mitrës
Ky lloj kanceri prek pjesën e poshtme të mitrës, qafën e mitrës, e cila lidh vaginën me mitrën. Kjo ndodh kur në shtresën sipërfaqësore të qafës së mitrës shfaqen qeliza abnormale të quajtura ’ para kancerogjene’. Bëhet fjalë për struktura parakanceroze të cilat nëse nuk diagnostikohen në fazë fillestare, mund të shndërrohen në kancer të mitrës. Faktori kryesor përgjegjës për këtë ndryshim është HPV i njohur si Human Papiloma Virus. Kirurgjia, terapia rrezatuese dhe kimioterapia janë metoda të cilat përdoren për trajtimin e kancerit të mitrës. Në fazën fillestare të kancerit në plan të parë përdoret trajtimi kirurgjik. Me anë të këtij trajtimi mënjanohet kanceri nga zona ku ndodhet kanceri primar i qafës së mitrës dhe nga vëndet në të cilat është e mundur përhapja. Në fazat e avancuara si formë themelore e trajtimit është terapia me rrezatim dhe kimioterapia.
Kanceri i vulvës
Një nga simptomat më të shpeshta të kancerit të vulvës është kruarja, dhimbja ose plaga, trashja e lëkurës së vulvës dhe djegia. Faktorët e rrezikut përfshijnë edhe infeksionin HPV, ose ekzistencën e lythave gjenitale. Nëse ky lloj kanceri zbulohet në fazë të hershme , mundësitë për shërimin e tij janë të mëdha.