Intervenimet kardiokirurgjike janë ndër operacionet më të shpeshta. Me rritjen e numrit të sëmundjeve kardiovaskulare, operacionet e zemrës kanë një rritje të ndjeshme në mbarë botën. Për shumë pacientë të cilët janë në pritje për tu operuar, si dhe për ata të cilët nuk kanë guxuar të paraqiten tek mjeku kardiolog për shkak të frikës, prof. Dr. Salis Taxher, kardiokirurg në “Acibadem Sistina”, iu përgjigjet pyetjeve më të shpeshta përsa i përket operacionit në zemër.
Çfarë është operacioni bajpas (By-pass)?
Bajpasi aortokoronar është intervenim gjatë të cilit një apo më shumë arterie koronare lidhen me enën e gjakut për një funksionim normal të qarkullimit të gjakut në muskujt e zemrës dhe për ta furnizuar atë me oksigjen. Gjatë këtij intervenimi, merret një pjesë e enës së gjakut (venë ose arterie)nga një pjesë tjetër e trupit në mënyrë që të bëhet një rrugë e tërthortë ose bajpas përreth pjesës së bllokuar të arteries koronare. Ena e gjakut e cila përdoret si bajpas, e cila quhet graft (i marrë hua), zakonisht merret nga këmbët, duart ose nga kraharori. Pacienti duhet të dijë se numri i bajpaseve nuk tregon rëndesën apo ashpërsinë e sëmundjes. Pacienti i cili ka bërë katër bajpase nuk është në gjendje më të rëndë shëndetësore se ai i cili ka bërë një bajpas. Rëndesa e gjendjes shëndetësore të pacientit përcaktohet nga gjendja e enëve të gjakut në zemër, funksioni i ventrikulit të majtë dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese.
Çfarë është rindërtimi i valvulave mitrale?
Rindërtimi apo përparimi i valvulës mitrale është kirurgjia me hapje të zemrës, në raste të stenozës (ngushtimit) ose përshkueshmërisë së valvulës. Numri më i madh i valvulave mitrale mund të rindërtohen, por në rast se kjo nuk është e mundur, atëherë zëvendësohet me valvul mekanike ose biologjike. Të dyja llojet e valvulave kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Vendimin për vendosjen e njërës valvul apo të valvulës tjetër e merr mjeku kardiokirurg sëbashku me pacientin në bazë të disa faktorëve si : mosha e pacientit, sëmundjeve të tjera shoqëruese, mënyrën e jetesës dhe rrezikut individual.
Kam aortë të zgjeruar, cila është zgjidhja e mundshme?
Në rast të ndërhyrjes kirurgjike , pjesa e zgjeruar e aortës zëvendësohet me protezë artificiale, e përbërë nga material sintetik. Në këtë mënyrë problemi zgjidhet përgjithmonë. Nëse sëmundja e ka prekur dhe dëmtuar valvulën e aortës, atëherë ajo duhet të rindërtohet ose të zëvendësohet.
A do të punojë zemra ime gjatë operacionit?
Gjatë operacionit, rrjedhja e gjakut nëpër zemër ndalohet në mënyrë të kontrolluar. Në këtë rast, zemra është e qetë, kështu që mjeku kirurg mund të punojë me kujdes në të. Pacienti vendoset në aparat për një qarkullim ekstrakorporal i cili merr funksionin e zemrës dhe mushkërive gjatë kryerjes së intervenimit. Ky është një aparat i ndërlikuar i cili nëpërmjet një sistemi tubash e merr gjakun nga zemra, e furnizon atë me oksigjen dhe më pas me anë të një presioni të caktuar e kthen atë në trup. Në këtë mënyrë trupi funksionon normalisht dhe intervenimi kardiokirurgjik përfundon pa pasoja.
Sa zgjat operacioni i zemrës?
Operacioni i zemrës është një ndër ndërhyrjet kirurgjike më të ndërlikuara. Kohëzgjatja varet nga gjendja e pacientit dhe nga kompleksiteti (ndërlikimi) i operacionit. Për këtë arsye është e vështirë që të përcaktohet kohëzgjatja e intervenimit. Mesatarisht, kohëzgjatja e intervenimit kirurgjik zgjat 4-5 orë.
Sa kohë do të qëndroj në spital pas kryerjes së operacionit?
Pacienti zgjohet pas disa orësh nga momenti i kryerjes së operacionit. Shumica e pacientëve janë në gjendje që në ditën e ardhshme të marrin frymë në mënyrë të pavarur. Qëndrimi në kujdesin intenziv (reanimacion)zgjat 24 deri 48 orë. Në rastet më të rënda, qëndrimi në reanimacion mund të vazhdojë deri në momentin kur gjendja e pacientit të stabilizohet plotësisht. Zakonisht pas qëndrimit në spital prej 5-7 ditësh, pacienti mund kthehet në shtëpi.