Home » Blog » Shëndeti familjar » Shëndeti i grave » ENDOMETRIOZA-SHKAKU I INFERTILITETIT TEK FEMRAT

ENDOMETRIOZA-SHKAKU I INFERTILITETIT TEK FEMRAT

Сподели

Endometrioza është е definuar si mukozë normale endometriale e cila është e implantuar në mënyrë jo natyrore diku tjetër në trup, jashtë zgavrës së mitrës. Bëhet fjalë për një sëmundje kur mukoza e mitrës shfaqet, rritet dhe funksionon jashtë trupit të mitrës. Mukoza e zhvendosur kalon nëpër të gjitha fazat e një cikli menstrual dhe sillet si mukoza endometriale në mitër. Dr. Josif Gjoreski, specialist në gjinekologji dhe obstetrikë, thotë se endometrioza mund t’i prekë vezoret, tubat, pjesën e jashtme të mitrës, zorrën e trashë dhe rajonet e tjera të brendshme.

NJË NË TRI GRA ME ENDOMETRIOZË ËSHTË PA SIMPTOMA

Endometrioza manifestohet me shumë shenja klinike dhe ka një ecuri të paparashikueshme. Një e treta е grave nuk kanë simptoma, por kur ato shfaqen tregohen shenja tipike të reflektuara nga zona dhe organi që është i prekur nga endometrioza si: dismenorrea (cikël i dhimbshëm menstrual), gjakderdhje të rënda dhe të parregullta, dhimbje në pelvik, dhimbje në pjesën e poshtme të barkut ose në shpinë, dispareunia (marrëdhënie të padurueshme seksuale), defekim i dhimbshëm që shoqërohet me diarre ose kapsllëk (jashtëqitje të forta), fryrje në bark, të vjellja, dhimbje në pjesën e ijëve, dhimbje gjatë urinimit dhe dhimbje gjatë stërvitjeve.

CILAT JANË ARSYET PËR SHFAQJEN E KËSAJ SËMUNDJE?

Arsyeja për rritjen е indit endometrial jashtë mitrës nuk është e njohur, por ekzistojnë disa teori për këtë. Endometrioza mund të jetë kongjenitale, kështu që disa qeliza endometriale mund të jenë të pranishme që nga lindja. Ekziston një teori tjetër që tregon se qelizat endometriale që derdhen jashtë bashkë me gjakun menstrual, në vend që të largohen plotësisht, ato kthehen mbrapa nëpërmjet tubave fallopiane deri në zgavrën e pelvikut. Këto qelizat kanë aftësinë të ngjiten në organet, të rriten dhe të gjakosen në periudha të caktuara në varësi të ciklit menstrual. Këto janë vetëm dy prej teorive të shumta rreth shfaqjes së endometriozës.

DIAGNOZA

Nga procedurat diagnostikuese jo-invazive, procedura më e thjeshtë dhe më e mirë për diagnostikimin gjenital është ultrazëri. Më rrallë përdorim MRI (rezonanca magnetike), veçanërisht kur ka dyshim për lokalizim tjetër, në zonën ekstragjenitale. Nga procedurat invazive zbatohet laparoskopia, një procedurë me ndjeshmëri shumë të lartë nga 97%, por me specifikim më të ulët nga 77%, e cila po ashtu konsiderohet si një procedurë terapeutike kur shoqërohet edhe me procedura të tjera operative. Organet më të prekura janë:

  • vezoret
  • hapësira mbrapa mitrës (cavum Douglasi)
  • ligamenti uterosakral
  • pjesa rektosigmoidale e zorrës së trashë
  • fshikëza e urinës
  • pjesa e poshtme të uretrës (kanali i poshtëm urinar)

TRAJTIMI

Qëllimet kryesore e trajtimit të endometriozës janë zvogëlimi i dhimbjes dhe menaxhimi i infertilitetit. Simptomat e endometriozës varen nga prodhimi i hormoneve gjatë ciklit menstrual. Në bazë të kësaj merret terapi për trajtimin e endometriozës. Metoda më efektive natyrore për trajtimin e endometriozës është shtatzënia. Por duhet të theksojmë se 30-40% e grave me endometriozë kanë mundësi të vogla për të mbetur shtatzënë, madje janë edhe sterile.

“Terapia medikamentoze zakonisht i lehtëson simptomat dhe parandalon përparimin e endometriozës, por nuk siguron shërimin afatgjatë të sëmundjes. Shkalla e përsëritjes tek gratë që fillimisht kanë vuajtur nga sëmundja minimale është rreth 35%, ndërsa tek gratë që kanë vuajtur nga sëmundja e rëndë fillestare, shkalla është rreth 75%. Megjithëse ekzistojnë disa terapi medikamentoze për trajtimin e endometriozës, por FDA miraton vetëm danazol, GnRH – agonistet dhe elagoliks, antagonisti i GnRH. Terapitë e tjera përfshijnë mjetet kontraceptive orale tradicionale (OCs), progestogenet e reja si gestrinon dhe dienogest, antagonisti oral i GnRH, levonorgestrel-releasing intrauterine system (IUS), inhibitori i aromatazës letrozol dhe disa modulatorë selektivë të receptorëve të progesteronit”, shpjegon Dr. Gjoreski.

Terapia kirurgjikale mund të shërbejë si terapi shtesë apo zëvendësim për terapinë medikamentoze dhe mund të ndihmojë në parandalimin ose shtyrjen e përparimit të mëtejshëm të sëmundjes. Zbatimi i terapisë kirurgjikale në trajtimin e endomentriozës ka për qëllim t’i lehtësojë simptomat dhe të përmirësojë fertilitetin. Terapia kirurgjikale mund te jetë konservative, kur e ruajmë potencialin riprodhuese të pacientes. Shpesh përdoret cistektomia laparaskopike me drenazhë (kur bëhet fjalë për endometriozë ovariale). Por mund të përdoret edhe ablacioni, neurektomia presakrale dhe ablacioni laparoskopik i nervit të mitrës (LUNA).

Pastaj kemi terapi kirurgjikale gjysmë konservative– kur mundësitë reproduktive reduktohen ose eliminohen, por ruhet funksioni i vezorëve. Këto metoda përdoren për trajtimin e pacienteve me funksion riprodhues të zgjidhur, por janë shumë të reja për te hyrë në menopauzë kirurgjikale dhe prandaj bëhet histerektomi dhe citoreduktim i endometriozës së pelvikut. Ka edhe terapi radikale, kur hiqet mitra dhe vezorëve. Zakonisht ato përfshinë histerektomi totale abdominale me adneksektomi bilaterale dhe citoreduktim i vatrave të dukshme të endometriozës, si dhe adheziolizë për ripërtëritjen e topografisë dhe funksionit normal intrapelvik.

Përzgjidhni doktorin Rezervo Kontroll Kontakt